A janë të sigurt chatbot-et e inteligjencës artificiale (AI) si asistentë mbështetës për shëndetin mendor?
Një bisedë me krijuesit e www.shendetimendor.org bazuar në pyetjet e komunitetit të @wimmelparents
Si prindër në epokën dixhitale dhe në rritje e sipër të ndërveprimit me Inteligjencën Artificiale (AI), është plotësisht e natyrshme të ndihemi skeptikë ose të shqetësuar kur dëgjojmë se fëmijët tanë mund të ndërveprojnë me këtë botë “të re” (për neve), veçanërisht kur bëhet fjalë për këshillim rreth shëndetit të tyre mendor dhe emocional. Kur postuam në Instagram linkun e Platformës www.shendetimendor.org morëm pyetje nga disa prindër/kujdestarë të komunitetit të Wimmelparents. Pyetjet që ngrihen janë legjitime: Si mundet një robot pa ndjenja të kuptojë një mërzitje njerëzore? Sa të sigurta janë të dhënat e fëmijëve tanë? Dhe ku përfundon ai mesazh pasi shtypet butoni “Dërgo”?
Për të zbardhur çdo dyshim, ne i drejtuam pyetjet më të shpeshta dhe më të mprehta të komunitetit tonë të prindërve direkt tek ekipi i Platformës së Shëndetit Mendor. Në këtë artikull, do të njiheni me Lunën - chatbot-en mbështetëse që ofron Ndihmë të Parë Psikologjike në gjuhën shqipe brenda Platformës. Më poshtë gjeni përgjigjet e detajuara që dëshmojnë se si kjo platformë kalon nëpër një filtër të konfidencialitetit, duke ofruar një hapësirë pa gjykime, me anonimitet të plotë dhe të bazuar në rigorozitetin shkencor. Prapa Platformës qëndron Instituti i Psikologjisë brenda Universitetit të Prishtinës në bashkëpunim me Qendra për Shëndet Global.
Përvoja jonë si Wimmel Prindërit: Ne besojmë tek parimi “hulumto, testo dhe beso”. Prandaj, përpara se t’ua prezantojmë këtë Platformë fëmijëve tanë, e testuam dhe e sfiduam vetë në dy faza të ndryshme: gjatë orarit kur vullnetarët njerëzorë janë aktivë (20:00 - 00:00 - e mërkure deri e diele ) dhe jashtë këtij orari sistemi kalon plotësisht në mënyrë automatike, pra, përmes ChatBot.
Burimi i fotos: Gemini (AI gjenerative)
Pyetjet nga Komunitetit i wimmelparents
Qysh bisedohet me nji chatBot pa ndjenja?
Ekipi i Platformës:
Luna është një chatbot mbështetës që ofron Ndihmë të Parë Psikologjike (NPP) në gjuhën shqipe, dhe asgjë më shumë. Roli i saj është kufizuar qëllimisht që:
- Të “dëgjojë” me kujdes
- Të ndihmojë personin të ndihet më pak i vetmuar në atë moment.
- Të orientojë drejt burimeve të duhura kur është e nevojshme.
‼️Kufizimi i rëndësishëm: Luna nuk ofron terapi dhe nuk e zëvendëson atë. Ajo nuk është ndërtuar për biseda të thelluara klinike apo procesim të thellë emocional. Ky kufi është vendosur qëllimisht, sepse përzierja e Ndihmës së Parë me Terapinë është e rrezikshme për përdoruesit.
Sa mundemi me i besu ndihmës së chatBot gjatë krizave emocionale?
Ekipi i Platformës
Sistemi funksionon me nivele të qarta dhe reagime të programuara prerazi (hard-coded):
Për shqetësime të përgjithshme (“jam i dëshpëruar”, “nuk po mundem”): Luna ofron bisedë mbështetëse normale për të hapur komunikimin (pa e trembur përdoruesin me referime të menjëhershme).
Për rrezik real (kur përmenden mendime për vetëvrasje, plane apo mjete konkrete): Luna ndalon menjëherë bisedën e zakonshme dhe jep direkt numrat e emergjencës:
Linja e Jetës: 0800 12345 (falas, 24/7)
Numri i emergjencës: 112 / Ambulanca: 194
Për dhunë: 044/080-90
Çka dallon ChatBot e platformës prej ChatGPT?
Ekipi i Platformës:
Ndryshe nga ChatGPT, i cili është një model i përgjithshëm që mund të “gjejë” apo të improvizojë përgjigje nga i gjithë interneti, Luna është rreptësisht e kontrolluar:
Nuk ka improvizime: Të gjitha materialet që ndan Luna (video, ushtrime, seanca psikoedukative) janë të hartuara nga profesionistë të fushës dhe bazohen në modele me prova shkencore si CBT (Cognitive Behavioral Therapy/Terapia Kognitive Biheviorale) dhe ACT (Acceptance and Commitment Therapy/Terapia e Pranimit dhe Angazhimit).
Mbikëqyrje e vazhdueshme njerëzore: Përmbajtja dhe sjellja e Lunës rishikohen vazhdimisht nga stafi i Departamentit të Psikologjisë në bashkëpunim me psikologë klinikë.
E pranon që gabon: Luna nuk është e pagabueshme. Ndonjëherë mund të mos e kuptojë saktë kontekstin. Për këtë arsye, përdoruesit i thuhet hapur që në raste emergjence nuk duhet të presë Lunën, por të thërrasë menjëherë numrat e mësipërm.
Sa është e sigurt kur e raportoj shqetësimin tim edhe nuk përfundon diku tjetër [dhe mbetet mes meje dhe Platformës]?
Ekipi i Platformës:
Platforma ka marrë masa strikte teknike dhe ligjore për të garantuar që bisedat të mbeten plotësisht private:
Sistemi i komunikimit (tawk.to): Përdoret një platformë që funksionon nën Kornizën për Privatësi të të Dhënave të EU-US, UK-US, dhe Swiss-US, që plotëson standardet më të larta ndërkombëtare të mbrojtjes.
Anonimitet i plotë: Luna dhe platforma nuk kërkojnë dhe nuk ruajnë emra, mbiemra, adresa apo IP Address.
Kodi unik për çdo kyçje: Çdo përdorues regjistrohet në databazë me një kod unik. Edhe nëse i njëjti person kthehet përsëri në chat, ai merr një kod të ri (nuk identifikohet dot që është i njëjti person, përveç nëse zgjedh vetë të regjistrohet).
Qasje e kufizuar: Vetëm personat e autorizuar (vullnetarët e trajnuar dhe mbikëqyrësit e tyre) kanë qasje në biseda për të ofruar ndihmë. Vetë vullnetarët dhe Bot-i i inkurajojnë përdoruesit që të mos tregojnë të dhëna personale gjatë bisedës.
E drejta për t’u fshirë: Përdoruesi mund ta ndërpresë bisedën në çdo moment dhe ka të drejtë të kërkojë fshirjen e të dhënave të ruajtura.
Burimi i fotos: Gemini (AI gjenerative) (bazuar në kërkim dhe kohë të ndërveprimit të wimmelparents me Platformën)
E ju prindër t’dashtun? Si po veproni në raste kur po vëreni ndryshime emocionale tek fëmijët/adoloshentët e juaj?




