Kurs noti në oqeanin digjital dhe të ‘AI': Dilemat e prindërimit modern.
Të neglizhojmë, kontrollojmë apo monitorojmë?
Të dashur prindër,
Nga përditshmëria dhe leximet tona të gjata, vërejmë me shqetësim një rritje të stresit të vazhdueshëm, izolimit, tensioneve dhe dukurisë së bulizmit në botën digjitale dhe nga bota digjitale. Pa dyshim, janë pa limit avantazhe dhe beneficione që kjo botë na ofron. Por neve prindërve të rritur në kohë krejtësisht të tjera, kjo situatë mjaft po na sfidon. Për dikë tjetër është mënyrë e gjetjes së mundësisë për të mbajt fëminë “afër vetes”, për të “qetësuar” fëmijën, për të përfunduar disa punë që nuk arritëm me i përfundu në zyre…
“Rëndësi ka që është brenda shtëpisë”, “nuk po shoqërohet me këdo”, “po mëson anglisht, gjermanisht, frëngjisht n’telefon”, “me rëndësi s’po del natën”, “po luan me shokë/shoqe online”, “po shkruhet me grupin e klasës” - janë arsyetimet e shumë prej neve.
Por, po harrojmë që fëmijët tanë në fakt po gjenden në oqeanin e hapur të mediave digjitale dhe rrjeteve sociale, lojrave, kontakteve me persona të panjofshëm, ofrimit të të dhënave personale. Bëhet fjalë për një botë me miliarda përdorues, e udhëhequr nga algoritme që brenda milisekondave kuptojnë preferencat tona.
Edhe pse kemi fatin të jetojmë në një epokë ku qasja ndaj informacionit është më e lehtë se kurrë, kjo sasi e madhe informacioni mund të jetë konfuzuese kur ofrohet pa masë dhe pa fokus e pa informim se çka është kredibile e çka jo…
Çfarë na thotë literatura ndërkombëtare?
Ekzistojnë me mijëra hulumtime shkencore të bazuara në evidencë (statistikore dhe cilësore, si rrëfime nga vetë prindërit dhe fëmijët) nga shkencëtarë, neurologë, psikiatër, psikologë, sociologë e antropologë (shih foton e gjeneruar nga AI gjenerative, duke u bazuar në tezat, teoritë dhe ideologjitë e prezantuar në librat e autorëve që kemi konsultuar). Megjithatë, kur vjen puna tek fëmijët tanë, nganjëherë mbetemi të stepur dhe na mungojnë “shkopinjtë magjikë” për t’i zgjidhur sfidat. Kemi hasur në shumë ekstreme gjatë leximit e kërkimit dhe disa nga ato po i paraqesim këtu sipas zërit që autorët thërrasin: për të izoluar, mbrojtur, monitoruar apo edukuar fëmijët nga bota e mediave dhe rrjeteve digjitale/sociale.
Zëri i Manfred Spitzer-it është i shqetësuar se truri i fëmijës tënd po kthehet në qull. Tezën se truri degjenerohet fizikisht duke ia lënë kujtesën dhe kalkulimet pajisjeve, Spitzer e ka potencuar me dekada të tëra në mediat gjermane (poashtu është tejet i kritikuar për këtë çasje)
Zëri i Jonathan Haidt-it është i tmerruar se fëmija po humb përvojat e botës reale që nevojiten për të ndërtuar qëndrueshmëri dhe se kalimi nga fëmijëria e lojës n’park në atë të telefonit po shkakton krizën mendore tek adoleshentët.
Zëri i danah boyd-it e di se largimit i telefonit nga adoloshentët do të thotë izolim social nga sistemi i tyre i vetëm i mbështetjes (duke i quajtur mediat sociale “social pub” - ku të gjithë bashkëmoshatarët gjinden).
Zëri i Byung-Chul Han-it është i rraskapitur duke e parë fëmijën të performojë një version “brendi/firme” të vetvetes vetëm për t’u ndier i/e dukshme - phono sapiens- i shkëputur nga magjia e vërtetë e jetës
Zëri i Sherry Turkle-it është i shqetësuar se fëmija po humb aftësinë për t’u ballafaquar me vetminë dhe bisedat e thella përmes përdorimit të pajisjeve.
Zëri i Sonia Livingstone-it është i përqendruar në nevojën e menjëhershme, praktike për t’i mësuar ata se si të notojnë sigurt në këtë oqean digjital.
Por, cili është zëri yt prind i/e dashur? A mund të ndash përvojën me neve se si po ja del në këtë botë komplekse të prindërimit? Po mëson notin në oqeanin digjital? Po ja largon fëmijës telefonin/tabletin? Po ja monitoron/kontrollon aplikacionet që ka të shkarkuar në pajisje?
Por ne, si prindër të diasporës kemi zgjedhur informimin e orientuar në evidencë dhe praktikë! Po konsulltohemi vazhdimisht me profesionistë të fushës në Gjermani. Për informacione dhe këshilla praktike që po mbledhim nga ekspertë, profesionistë të qendrave të ndryshme të shkollave, organizatave në Gjermani, na përcjellni në serinë e shkrimeve mbi prindërimin në kohërat digjitale dhe të AI…
Burimi: Fotoja e gjeneruar përmes AI (Gemini official) pas shpjegimit të tezave kryesore të autorëve, zëri i të cilëve është përmbledhur më lartë



