A mund ta shpjegojë konfuziteti gjuhësor diferencën e madhe Shqipëri–Kosovë në PISA?
Dallimi prej mbi 70 pikësh në rezultatet e PISA-s mes Shqipërisë dhe Kosovës nuk është thjesht një statistikë arsimore — ai korrespondon me më shumë se dy vite të tëra procesi mësimor. Por, a mund të fshihet një pjesë e madhe e këtij shpjegimi te gjuha shqipe dhe mungesa e një standardi të unifikuar që flitet njëjtë në shtëpi, në shkollë dhe në librat shkollorë?
Në Kosovë, nxënësit përballen me një realitet kompleks gjuhësor që ndikon drejtpërdrejt në kuptueshmërinë e tyre gjatë procesit mësimor:
Përvoja 11-vjeçare me librat e fëmijëve: Nga shqyrtimi dhe analiza e librave për fëmijë që bëjmë prej më shumë se 11 vitesh, shihet qartë konfuziteti gjuhësor që u ofrohet fëmijëve që në hapat e parë të leximit.
Faktori ekonomik i shtëpive botuese: Në kontaktet tona me shtëpitë botuese të rajonit, kur kemi ofruar përshtatje gjuhësore me variantin më të afërt për Kosovën, përgjigjja e tyre ka qenë e prerë: “Ne duhet të publikojmë libra për shqipfolësit e të gjithë rajonit dhe nuk është e leverdisshme ekonomikisht të krijojmë botime të veçanta vetëm për tregun e Kosovës.” Si rezultat, një fëmijë 6+ vjeç në Kosovë takon përditë terme e fjalë tipike që nuk i dëgjon kurrë në ambientin e tij të përditshëm.
Mungesa e unifikimit praktik: Gjuha që flitet në familje e shoqëri ndryshon dukshëm nga ajo që nxënësit gjejnë në librat shkollorë dhe jashtëshkollorë.
Depërtimi i gjuhëve të huaja: Gjuhët si anglishtja (dhe gjithnjë e më shumë gjermanishtja) po fliten masivisht te brezat e rinj, në rrethin shoqëror e madje edhe brenda familjes mes motrave e vëllezërve, shpesh më shumë se vetë shqipja.
Fragmentimi sipas sistemit të shkollimit: Niveli i kuptueshmërisë dhe unifikimit të shqipes ndryshon dukshëm varësisht nëse nxënësit vijojnë shkolla publike, private apo bilinguale.
Pyetja për prindërit, edukatorët dhe kujdestarët:
A është standardi i vendosur nga PISA adekuat për këtë kontekst dhe zhvillim gjuhësor të Kosovës?
PISA thirret në rigorozitetin e saj shkencor, por nqs kuptueshmëria e gjuhës brenda një shteti është në nivele aq ekstreme të ndryshme, a mund të flasim për një vlerësim objektiv?
Pjesa më e madhe e pyetjeve në PISA dhe jo vetëm në lexim, por veçanërisht në matematikë dhe shkencë janë të natyrës “Mendo dhe kalkulo” me situata logjike e kontekstuale. Nëse nxënësi nuk e kupton saktë formulimin gjuhësor të detyrës, zgjidhja e saj merr një qasje krejtësisht të gabuar, pavarësisht aftësive të tij me shifrat apo konceptet shkencore.
💬 Si e shihni këtë sfidë në përditshmërinë e fëmijëve tuaj? A përballen nxënësit në Kosovë me barrierë gjuhësore gjatë të kuptuarit të teksteve mësimore? Na shkruani mendimin tuaj në koment!



